Ky është serbi i arrestuar në veri të vendit, dyshohet për përpunimin dhe kultivimin e drogës

Në kuadër të hetimeve të operacionit policor ‘Shpata’ ku më 12 shkurt u zbuluan tre laboratorë drogë në veri të vendit dhe u arrestuan Nikola Filgjokic dhe Ivan Slavic, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka arritur që, të identifikojë dhe të arrestojë edhe një person të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e veta brenda Prokurorisë se bëhet fjalë për Radenko Keseroviç, 55-vjeçar.

Keseroviç ishte në arrati që nga shkurti dhe pasi u arrestua sot, është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 55-vjeçari të dërgohet në mbajtje dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’ dhe ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ase bimëve të kanabisit’.

Kujtojmë që në kuadër të operacionit policor ishin zbuluar tre laboratorë me bimë narkotike; dy laboratorë me rreth 1200 bimë narkotike, si dhe laboratori i tretë (pa bimë) me pajisje të sofistikuara për kultivim të bimëve narkotike në të.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Mërgimtari nga Lugina aksidentohet për vdekje në Serbi