Katër persona rrahin punëtorin e një autoservisi në Prishtinë, Policia bastis shtëpinë e njërit prej tyre

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur të mërkurën te një autoservis në rrugën “Norbert Jokli” në Prishtinë, ku një punëtor dyshohet se është sulmuar nga katër persona, pas një mosmarrëveshje mes tyre.

Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për një 30-vjeçar, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka raportuar se katër të dyshuarit edhe e kanë ndjekur e madje dy prej tyre kanë ekspozuar edhe armë të zjarrit.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka intervenuar, me ç’rast ka kryer bastisje në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, ku është bërë kontrolli, por s’është arritur të kapet i dyshuari.

Lidhur me rastin, dëshmi para hetuesve policorë ka dhënë edhe një dëshmitar që ndodhej në vendin e ngjarjes në momentin kritik.

Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehte trupor”, teksa veprimet e tjera do të ndërmerren pasi të sigurohet prezenca e të dyshuarve.

Lexo edhe:  33-vjeçarja në Gjakovë tenton për të disatën herë të kryejë vetëvrasje, dërgohet në spital