Ky është i riu nga Peja që pengoi dhe sulmoi zyrtarët policorë, dërgohet në mbajtje

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Gazeta Sinjali raportoi për një rast të tillë që ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Adem Jashari” në Pejë, ku disa zyrtarë policorë u sulmuan.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që përfundoi në ndalim policor pasi dyshohet për këtë rast është Ylli Ibraj, 24-vjeçar.

Sinjali mëson se incidenti ndodhi në orët e mbrëmjes, kur i dyshuari fillimisht i kishte penguar policët, të cilët ishin duke intervenuar në një rast. Për të mos mbaruar me kaq, ai edhe i ka kërcënuar ata, të cilët u detyruan që ta vënë situatën nën kontroll.

Zyrtarët policorë u përballën me rezistencë gjatë arrestimit të të dyshuarit dhe për pasojë morën lëndime trupore.

Pasi i njëjti u shoqërua në stacion policor, është intervistuar nga hetuesit policorë, me ç’rast ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën për të cilën dyshohet.

Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Lexo edhe:  Ushqimet e “Nanë Kosovës” tash edhe në Gjermani, ish-ushtari i UÇK hap restaurant atje