I riu në Prishtinë kapet mat me proshutën që e vodhi në ‘Viva Fresh’, tenton të vjedh edhe në një veturë

Rastet e vjedhjeve nëpër markete në Kosovë nuk janë të rralla, por jo gjithmonë kapen personat e dyshuar, pasi të njëjtit arrijnë të ikin. Por ndryshe ka ndodhur sot afër marketit ‘Viva Fresh’ në rrugën ‘Ilaz Kodra’ në Prishtinë, ku një person u kap në flagrancë duke vjedhur, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se këtë herë i dyshuari arriti të ikë nga marketi pa u vërejtur, por është kapur pasi ka tentuar të kryejë vjedhje edhe në një veturë. Dikush e raportoi në Polici, me ç’rast një njësi policore intervenoi menjëherë në vendin e ngjarjes.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari kishte arritur që t’i marrë pa paguar disa paketime me proshutë në vlere të dhjetëra eurove, pa u zbuluar as nga punëtorët e as nga sigurimi i marketit.

Produktet që iu gjetën janë rikthyer në market, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Vjedhje’.

Pas përfundimit të procedurave policore Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Lexo edhe:  Ndodh edhe kjo: Monedhat 2 euroshe shiten me lirim - 200 euro, 5 mijë copa