Ky është i dyshuari që falsifikoi kontratën mbi shitblerjen e një parcele në emër të një notereje

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit që u arrestua para dy ditësh, pasi kërkohej nën dyshimet se ka kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” dhe “Mashtrimi”. Sinjali raportoi sot për arrestimin e të dyshuarit, ndërkohë që tashmë ka mësuar identitetin e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Edvin Cakollin, 43-vjeçar, i cili po hetohet nën dyshimin se falsifikoi kontratën mbi shitblerjen e një parcele në emër dhe vulë të një notereje dhe dokumente të tjera.

“I pandehuri i lartcekur është ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit, më 05.07.2023, pasi dyshohet se në vitin 2019 në Prishtinë, ka falsifikuar dokumentin publik, dhe atë kontratën mbi shitblerjen e një parcele, me emër dhe vulë të një notereje, autorizimin noterial për paluajtshmëri, urdhër pagesa etj., çka me këto veprime ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, e po ashtu ka vënë në lajthim personin e autorizuar në Zyrën Kadastrale të Komunës së Prishtinës për të vërtetuar një çështje të pavërtetë e paraparë të shërbejë si provë për regjistrimin e pronës, duke e regjistruar pronën në emër të të pandehurit, si dhe pas këtij veprimi me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka fshehur faktet, ashtu që duke e vënë  në lajthim një notere tjetër i shtytë të dëmtuarit të veprojnë në dëm të pasurisë se tyre, duke ua prezantuar pronën si të tijën dhe duke ua shitur atyre.”, njoftoi Prokuroria.

Në njoftim po ashtu thuhet se Prokurori i Shtetit në koordinim me Policinë janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore.​

Lexo edhe:  Aksidentohet një furgon afër parkut të qytetit në Vushtrri