Arrestohet burri në Fushë Kosovë, e detyroi gruan të bëjnë seks pa dëshirën e saj

Gratë kosovare përpos dhunës psikike e fizike, gjatë martesës përballen edhe me dhunë seksuale. Ato zakonisht nuk e denoncojnë dhunën që përjetojnë, për shkak të frikës dhe stigmës.

Për një rast të tillë tronditës ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije së rasti ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku një grua e ka denoncuar për dhunim bashkëshortin e saj, 45-vjeçar.

Sipas informacioneve që posedon Gazeta Sinjali, i dyshuari H.A., para disa ditësh në gjendje të dehur, duke përdorur forcë e ka detyruar bashkëshorten e tij që të kryejnë marrëdhënie seksuale. Kjo situatë e ka shqetësuar jashtëzakonisht shumë gruan, e cila ka vendosur që ta denoncojë burrin.

Rasti është raportuar gjatë ditës së sotme në Polici, ku ka dhënë deklaratën e saj se si ka ndodhur ngjarja më 25 nëntor, pas mesnatë në shtëpinë e tyre.

Me të marrë informatën, njësitë policore janë vënë në lëvizje me ç’rast kanë arritur që menjëherë ta arrestojnë të dyshuarin. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “Dhunimi” dhe ka urdhëruar dorëzimin e kallëzimit penal.

Ndryshe, sipas Kodit Penal, “Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet.”

Lexo edhe:  Vjedhja e rëndë në Suharekë: Arrestohet edhe i dyshuari i tretë, konfiskohet sasi e byzhuterive, orë dore dhe një veturë