Ky është avokati dhe e dyshuara tjetër për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh

Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës dhe janë ndaluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Mashtrim’ dhe ‘Falsifikim dokumentesh’.

Sinjali mëson nga burimet e veta se avokati i dyshuar është Momcilo Trajkoviç, ndërsa e dyshuara tjetër është Ivana Lekiç.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Trajkoviç dhe Lekiç dyshohet se në mars të vitit 2021, në Graçanicë, pas një marrëveshje paraprake dhe në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit pasuror në mënyrë të kundërligjshme, e kanë vënë në lajthim një të dëmtuar, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, ku të njëjtit i kanë siguruar për vajzën e tij një certifikatë të gjuhës gjermane kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, e cila pas verifikimit nga Ambasada përkatëse ka rezultuar e falsifikuar.

Lekiç dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka përpiluar dokumentin e falsifikuar, respektivisht një certifikatë të gjuhës gjermane, kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, ku me këtë veprim dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, njoftoi tutje Prokuroria të martën.

Me urdhër të Prokurorit, dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do merren veprimet e mëtejme ligjore.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Pupovci: Sistemi i vlerësimit të mësimdhënësve do të pësojë ndryshime