Ky është 23-vjeçari që mbajti ‘peng’ në motel vajzën nga Fushë Kosova, përfundon prapa grilave

Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për një ngjarje të tmerrshme me të cilën dyshohet se u përball një vajzë nga Fushë Kosova. Një person dyshohet se e mori me forcë 25-vjeçaren dhe e dërgoi në një motel, ku e kërcënoi se do t’i kushtojë me jetë nëse s’pranon të jetë në lidhje dashurie me të.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Eron Olluri, 23-vjeçar, i cili tashmë është arrestuar.

Burimet e Sinjalit kanë zbardhur detaje nga dëshmia e viktimës, e cila ka deklaruar se i dyshuari, i cili është i njohur për të, e ka marrë me forcë në veturën e tij dhe më pas e ka dërguar në motel.

Sipas saj, Olluri atje e ka mbajtur pa dëshirën e saj dhe të njëjtën e ka kërcënuar se nëse nuk do jenë bashkë, do ta vrasë atë dhe më pas veten. E po ashtu e ka kërcënuar se do i bëjë keq edhe personit me të cilin 25-vjeçarja është në lidhje dashurie.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, teksa është arritur që të arrestohet i dyshuari 23-vjeçar.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Shkoi në Frankfurt, punoi dhe u dëshpërua – u kthye dhe hapi biznesin e tij: Rrogën e atjeshit po e nxjerri për 1 javë këtu