Kryeministri Kurti erdhi në Mitrovicë, i vizitoi njësitet speciale të Policisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasditën e së dielës së 11 dhjetorit, ka vizituar njësitet speciale të Policisë së Kosovës, në kampin “Belvedere” në Mitrovicën e Jugut.

Lajmin për Dukagjini, e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Sot pasdite, kryeministri Kurti ka qenë në Belvedere ku ka vizituar dhe takuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës atje”, ka thënë ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës i hodhi poshtë pretendimet e Listës Serbe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përgatit dërgimin e forcave të tij speciale “për të përndjekur” serbë nga pjesa veriore e vendit.

“Absolutisht e pavërtetë”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Shpifjet e tilla, sipas tij, kanë për qëllim “arsyetimin dhe mirëmbajtjen e barrikadave në veri të vendit”, të cilat “duhet të largohen menjëherë”.

“Ftojmë qytetarët tanë në veri që t’i ndjekin njoftimet dhe t’u besojnë institucioneve tona dhe të mos bien pre e dezinformimit të grupeve kriminale, që synim kanë ta mbrojnë vetëm veten”, shtoi Kryeziu.

Lexo edhe:  Kanosen policin jashtë detyrës zyrtare, arrestohen tre persona në Drenas – emrat