Krisma armësh në Veri, sulmohet Policia e Kosovës

Sot rreth orës 11:25, Policia Kufitare në Zubin Potok është sulmuar me armë zjarri. Rasti ka ndodhur derisa Njësia Policore ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit.

Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës, numri i të shtënave me armë zjarri ka qenë dhjetë herë.

Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së Policisë, fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.

Komunikata e plotë:

Sot, më 06.08.2022 rreth orës 11:25, njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok, derisa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit është sulmuar me armë zjarri.

Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar.

Në asistencë të njësisë policore ka shkuar Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare. Policia po vazhdon të vëzhgojë terrenin dhe ta trajtojë rastin.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë dhe luftimin e kriminalitetit e me theks të veçantë të kontrabandës në atë zonë.

Lexo edhe:  Lista me emrat e të gjithë të arrestuarve gjatë aksionit ku u kapën 50 kg drogë në veri