Krimet Ekonomike në aksion, njëri rast lidhet me uniformat e Policisë e tjetri me barna

Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), kanë trajtuar dy raste që lidhen me fushën e hetimit nga ana e tyre.

Rasti i parë u tha se ka të bëjë me një tender të hapur nga policia për furnizim me uniforma të policisë, ku kishin aplikuar disa operatorë ekonomik, raporton Paparaci.

Sipas PK-së, hetuesit policorë nga DHKEK-u, nën dyshim për përfshirje në veprën penale ‘keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’, kanë filluar hetimin që ka zgjatur afro dy muaj.

“Bazuar në hetimet e kryera, gjegjësisht në të gjeturat gjatë hetimit, ka ardhur deri te dyshimi se tre operator ekonomik kanë kryer veprën e lartcekur. Rasti karshi veprës penale ‘keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’ është iniciuar, janë siguruar dëshmi që së bashku me kallëzimin penal do të dërgohen në prokurori”, thuhet në njoftimin e Policisë, dërguar mediave.

Kurse sa i përket rastit të dytë, u bë e ditur se hetuesit policorë nga DHKEK-u, kanë pranuar një informatë se në një barnatore në Prishtinë shiten barna pa banderola të Republikës së Kosovës.

Siç u tha në kumtesë, Policia në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik kanë kryer kontroll në këtë barnatore.

“Pronari i barnatores është shoqëruar në polici dhe i njëjti është intervistuar. Rasti i iniciuar është trajtuar në koordinim me prokuroren kujdestare dhe me aktvendim nga ana e saj rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Lexo edhe:  Zjarr në Klinikën e Psikiatrisë, një pacient dyshohet djegur vetën