Ky është i dyshuari nga Ferizaj që tentoi ta vras shokun nën akuzat se ia mori të dashurën, kërkohet paraburgimi i tij

02 Press raportoi dje për arrestimin dhe ndalimin e një 31-vjeçari nga fshati Pleshinë i Ferizajt, nën dyshimet se ka tentuar ta vras shokun e tij 38-vjeçar, duke e akuzuar se ka krijuar lidhje me të dashurën e tij. Shokët u ballafaquan në shtëpinë e të dyshuarit, ku ai shkrepi një plumb, me ç’rast i shkaktoi lëndime të lehta. Ai përfundoi në prangat e Policisë, ndërkohë që ndaj tij po kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari për këtë rast është Avni Bakolli, i cili do të hetohet për tri vepra penale: “Vrasja ne tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.

Ai po dyshohet se me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta mikun e tij Xh.Q., në fshatin Pleshinë në orët e mbrëmjes të 1 korrikut, duke përdorur një pushkë automatike.

Sinjali raportoi se ngjarja ka ndodhur pasi viktima e kishte dërguar të dyshuarin në shtëpinë e tij. Aty, ai dyshohet se e kishte marrë një pushkë automatike, të cilën ia kishte drejtuar viktimës, nën dyshimin se ka nisur lidhje dashurie me vajzën të cilën e ka ai të dashur. Ndonëse konflikti nuk përfundoi tragjikisht, mes shokëve pati një ballafaqim. Kur viktima 38-vjeçar ka tentuar t’ia marrë armën, i dyshuari ka shkrepur, duke i shkaktuar lëndime viktimës.

Këtë e ka konfirmuar edhe Prokuroria dhe kanë njoftuar se pushkën që i dyshuari e ka përdorur nuk ka pranuar ta dorëzojë në Polici, ndërsa në shtëpi i është gjetur edhe një armë tjetër.

“Po ashtu, për të pandehurin A.B., ekziston dyshimi i bazuar se nga data e pavërtetuar e deri më datë 01.08.2022, në shtëpinë e tij në fshatin Pleshinë e Epërme, Komuna Ferizaj, ka mbajtur në posedim paautorizim armën në kundërshtim me Ligjin mbi armët, me të cilën ka tentuar ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Xh.Q., kurse policia pas zbatimit të kontrollit në shtëpinë e tij ka gjetur një pistoletë të dëmtuar dhe një gëzhojë të pushkës automatike AK-47, kurse pushkën automatike i pandehuri e kishte fshehur dhe nuk ka pranuar që të i’a dorëzojë policisë, me këtë do të kryente veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.

Lexo edhe:  Alarmante | Mbyllen për qarkullim nga policia, pikë kalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit Xh.Q., pasi i ka drejtuar armën, i dëmtuari gjatë tentimit që ta largojë tytën e armës ka pësuar lëndime trupore në kokë, e pastaj e ka goditur edhe me grushte disa herë duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, me këtë do të kryente veprën penale “ Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 par. 2 të KPRK-së.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.