Krimet e Rënda zbarkojnë në regjionin e Prishtinës

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, kanë nisur një aksion policor në kuadër të hetimeve për rastin ‘Brezovica’, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se aksioni shtrihet në regjionin e Prishtinës, teksa cak i bastisjeve janë disa autosallone dhe shtëpi private e objekte tjera përcjellëse.

Kujtojmë se rasti gjyqësor Brezovica është iniciuar në dhjetor të vitit 2021 dhe deri më tani janë arrestuar dhjetëra persona, përfshirë edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Brezovica vlerësohet se është një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e saj të skijimit. Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Lexo edhe:  Ky është suedezi që mori me rent një BMW e një Porsche në aeroportin e Prishtinës, zhduket me dy veturat në vlerë 140 mijë euro