Kosovari ia kris rreth 10 herë kallashnikovit në dasmë, nuk e shijon festën pasi ndalohet për 48 orë

Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu zgjodhi të festojë edhe një person në Istog, por nuk arriti ta shijojë festën deri në fund pasi përfundoi në ndalim policor.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në fshatin Zallq, ku ishte organizuar një aheng familjar dhe u dëgjuan të shtënat me armë. Sipas informacioneve të para, i dyshuari ka gjuajtur rreth 10 herë me AK-47 armë në shenjë gëzimi, duke rrezikuar kështu edhe dasmorët.

Posa Policia u njoftua për rastin, ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast të dyshuarit i është sekuestruar arma e përdorur bashkë me municion, teksa janë gjetur edhe gëzhojat.

I njëjti u arrestua dhe më pas u shoqërua në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.

Lexo edhe:  Komuna e Drenasit shpall konkurs për 8 vende të lira të punës [DOKUMENT]