Grabitet 20-vjeçari porsa del nga diskoteka në Prishtinë, e rrahin dhe ia marrin zinxhirin e 3 mijë € nga qafa

Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë, raporton Gazeta Sinjali.

Me një rast të tillë është përballur një 20-vjeçar mbrëmë pasi doli nga një diskotekë te rruga “Lidhja e Pejës” në Prishtinë, ku tre persona dyshohet se e sulmuan dhe ia morën me forcë zinxhirin që e kishte të vendosur në qafë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor, e më pas është njoftuar Policia për rastin.

Bazuar në dëshminë e viktimës, vlera e zinxhirit që ia grabitën është rreth 3 mijë euro dhe se i njëjti nuk i njeh personat e dyshuar.

Njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në identifikimin e të dyshuarit dhe që çojnë në lokalizimin e vendndodhjes së tij.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

Lexo edhe:  Vetëm edhe sot mund të aplikoni për punë në Bondsteel, rroga 1907 euro