Këta janë tre të dyshuarit për shitblerje të narkotikëve në Gjilan, dy prej tyre ende në arrati

Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Për një rast të tillë, kanë rënë në pranga dje një person në fshatin Veleknicë të Gjilanit, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë ende në arrati.

Sinjali mëson ekskluzivisht se të dyshuarit janë:

  • Alajdin Agaj 51-vjeçar
  • Fehmi Ademi 55-vjeçar
  • Fatlind Vokshi 23-vjeçar

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë ditës së djeshme janë kryer bastisje në tri lokacione, në Gjilan dhe në fshatin Muqibabë.

I dyshuari Alajdin Agaj ishte arrestuar edhe më parë, pasi ishte kapur me substanca narkotike të llojit kokainë, e të cilën dyshohet se e kishte blerë nga i dyshuari tjetër, Fehmi Ademi.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e Ademit, Sinjali mëson se janë sekuestruar disa paketime me substancë narkotike të llojit kokainë, mjete që shërbejnë për paketimin e kokainës dhe peshore elektrike.

Po ashtu, pas bastisjes në shtëpinë e Vokshit, është gjetur një armë ilegale.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale, të cilët kanë bërë me dije se njëri prej të dyshuarve është arrestuar, ndërsa dy tjerët janë ende në arrati.

Raportohet se njësitë policore kanë kryer bastisje në disa lokacione, ku janë gjetur dhe konfiskuar 19.7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë dhe një armë zjarri. Lidhur me rastin, një i dyshuar mashkull kosovar është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuar tjerë janë në arrati”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit të dyshuarit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Lexo edhe:  Një biznesi në Podujevë i sekuestrohen mbi 4 mijë euro, dyshohet se janë të falsifikuara

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.