Arrestohet shoferi i kamionit që shkaktoi aksident me fatalitet në Vushtrri dhe iku nga vendi i ngjarjes

Një aksident i rëndë trafiku me fatalitet ndodhi dje në mbrëmje në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, më konkretisht në fshatin Stanovc, ku një person gjeti tragjikisht vdekjen pasi u godit nga një shofer që po drejtonte kamionin.

Viktima e këtij aksidenti është Ekrem Maxhuni, 56-vjeçar. Ndërsa, shoferi i cili shkaktoi këtë aksident tragjik iku nga vendi i ngjarjes.

I njëjti, siç bën të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, sot është identifikuar dhe ka rënë në prangat e Policisë.

“Si rezultat i hetimeve intensive, hetuesit e Njësisë së Trafikut Rrugor, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin shoferin e automjetit transportues (kamion) i cili dyshohet për  përfshirje  në  aksident trafiku me pasojë fataliteti  i ndodhur dje me datën 5 janar 2024, rreth orës 16:43, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë në fshatin Stanovc, ku ka humbur jetën viktima (këmbësori) mashkull kosovar”, tha Zahiti.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor për 48 orë.

Lexo edhe:  Pacienti i Entit Special në Shtime ikë për të disatën herë, Policia vihet në lëvizje për ta gjetur