Këta janë tre të arrestuarit në Drenas që u rrahën mes vete pas një konflikti në trafik
Mbrëmë në Arllat të Drenasit janë arrestuar tre persona, pas një konflikti në komunikacion.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se tre të dyshuarit që përfunduan në pranga të Policisë janë Granit Bytyqi, Gentian Bytyqi dhe Enver Bytyqi.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 20:00 në fshatin Arllat, në afërsi të një restoranti, kur të dyshuarit janë kapur mes vete, duke e sulmuar njëri – tjetrin me grushte.
Siç merr vesh Sinjali, në përleshje dyshohet se është përdorur edhe një shkop druri.
Pasi Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
“Janë arrestua tre të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjti pas një mosmarrëveshje janë rrahur mes veti dhe si pasojë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Tre të dyshuarit pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.”, thuhet në njoftimin e Policisë.