Këta janë tifozët që përfunduan në ndalim policor pas incidentit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Llap

Veprimet e dhunshme dhe huligane të tifozëve pas derbit të djeshëm mes Llapit dhe Ballkanit çuan në arrestimin e 21 prej tyre, të cilët përfunduan në Polici, si të dyshuar për disa vepra penale. Përleshja që ndodhi pas ndeshjes shkaktoi tensione të mëdha në qytet, për çka u desh intervenimi i Policisë, raporton Gazeta Sinjali

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se pesë prej tyre kanë përfunduar tashmë në ndalim polcior, pasi ekziston dyshimi se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale të huliganizmit”.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për Edonis Shalën, Edon Kabashin, Meriton Veselajn, Endrit Kçykun dhe    Albion Shalën, të cilët janë përshirë në incidentin e djeshëm pas ndeshjes në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Pamjet u shpërndanë gjithandej, teksa të dyshuarit u intervistuan nga hetuesit policorë lidhur me rastin. Në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur 3 thika, teksa si pasojë e veprimeve të tifozëve janë dëmtuar rreth 200 ulëse të plastikës, duke shkaktuar dëm mbi 10 mijë euro.

Detajet e arrestimit të tyre, Sinjali i ka publikuar sot, teksa burimet kanë bërë me dije për prangosjen e një të mituri, që dyshohet se dëmtoi autobusin e grupit të tifozëve “Xhebrailat”.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, i dyshuari është një 17-vjeçar, i cili po dyshohet se me një mjet të fortë ka thyer të gjithë xhamat e autobusit, në shenjë revolte për atë që ndodhi pas ndeshjes.

Dëmi që dyshohet se shkaktoi kap vlerën e rreh 9 mijë eurove, çka i kushtoi të miturit me ndalim policor. Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, i dyshuari është intervistuar dhe më pas u dërgua në qendrën e mbajtjes për 24 orë. Të njëjtat burime thonë se i mituri do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Lexo edhe:  Sheshi i Prishtinës deri tek Katedralja, publikohet një foto se si do të duket

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.