Kërcet dajaku në një rrugë në Gjilan, Policia kap në flagrancë dy të rinj duke u rrahur – zbulohet motivi

Një përleshje mes dy të rinjve ka ndodhur të dielën në rrugë “Esat Berisha” në Gjilan, të cilët fillimisht u fjalosën por që konflikti verbal eskaloi në sulm. Sinjali mëson se dy të dyshuarit janë arrestuar dhe pas shoqërimit në stacion policor u zbulua se motivi i rrahjes lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për V.S. dhe A.J., të cilët u kapën në flagrancë, pasi një patrullë policorë po kalonte në rrugën ku ndodhi rasti dhe intervenoi menjëherë, duke i ndarë të dyshuarit.

Atyre iu janë vënë prangat dhe janë dërguar në stacion, ku kanë dhënë deklaratat e tyre, me ç’rast është kuptuar se janë kapur për shkak të një rasti që kishte ndodhur kohë më parë.

Në lidhje me ngjarjen, Sinjali merr vesh se Policia tashmë ka siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë në objektet përreth, që do të përdoren në hetimin e rastit. Përveç kësaj, në vendin e ngjarjes është konfiskuar edhe një thikë, që sipas informatave të para nuk është përdorur në rast.

Ndaj dy të rinjve, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh., si të dyshuar për veprën penale “sulm”.

Lexo edhe:  Dalin pamje nga vendi ku nipi vrau axhën për tokë në Malishevë