Kërcënoi punonjësit e KEDS-it, arrestohet një polic i Kosovës
Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar sot pasdite një zyrtar policor në Viti, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Kanosje” dhe “Pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit, arrestimi i policit të dyshuar erdhi pas informacioneve që IPK mori nga Policia e Kosovës se zyrtari policor dyshohet se ka kanosur dhe penguar disa zyrtarë KEDS-it në Viti të cilët kanë qenë në detyrë dhe të asistuar edhe nga njësi policore.
“Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë .
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.”, thuhet në njoftim.