Kapet me drogë në xhepa, ndalohet 26-vjeçari në Vushtrri
Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia. Një rast i tillë ka ndodhur sot rreth orës 13:00 në rrugën “Kadri Zeka” në Vushtrri.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë thonë se Policia është njoftuar se disa persona janë duke konsumuar substanca narkotike në kë lokacion dhe si rezultat i këtij denoncimi, Policia i është përgjigjur menjëherë thirrjes.
Me të arritur në lokacionin e raportuar, ka ndalur për kontroll 26-vjeçarin, tek i cili ka gjetur substancë të dyshuar narkotike, të cilën e kishte fshehur në xhepa.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.