“Kam me iu vra si leprat, dy gjaqe m’i keni borxh”/ Burri në Pejë kërcënon kunatin e motrës, arrestohet nga Policia

Nuk janë të rralla rastet në Kosovë kur anëtarët e familjes së gjerë përfshihen në konfliktet dhe mosmarrëveshjet mes një çifti. Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Sinjali mëson se një person dyshohet se ka kërcënuar familjarët e dhëndrit të tij me vdekje.

Rastin në Polici e ka denoncuar kunati i motrës së tij, i cili ka deklaruar se i dyshuari ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese, duke i thënë se do t’i vrasë ata si lepujt dhe se i kanë borxh dy gjaqe për motrën e tij.

Sipas ankuesit, e gjithë kjo ka ndodhur për shkak se vëllai i tij dhe motra e të dyshuarit që jetojnë jashtë vendit, kanë probleme në martesën e tyre.

33-vjeçari është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti për veprën ‘Kanosje’.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Lexo edhe:  Naftëtarët thirrje Kurtit dhe Hajdarit: Tërhiqeni vendimin skandaloz, po falimentojmë – mijëra punëtorë rrezikojnë të mbesin pa punë