“Jam zgjuar në 05:00 për radhë”, numër i madh i pacientëve në ambulancat e QKUK-së – deri në gjashtë orë pritje

Pritjet e gjata për të marrë shërbime specialistike në ambulancat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë bërë shumë të mundimshme për qytetarët.

Ata janë të obliguar të zgjohen herët dhe të presin me orë të tëra nëpër recepsione, dhe nëse kanë fat, kontrollohen.

Numri i madh i pacientëve në këto klinika, sipas drejtuesve në QKUK, ndodh për shkak të numrit të lartë të rasteve që referohen nga komunat e tjera të Kosovës.

Numri i madh i pacientëve në klinikat specialistike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sipas drejtuesve në QKUK, ndodh për shkak të numrit të lartë të rasteve që referohen nga komunat tjera të Kosovës.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Hamit Hajdari nga Kaçaniku tregoi se ishte zgjuar në orën 05:00 të mëngjesit për të arritur i pari në njërën prej ambulancave specialistike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Për Hajdarin që udhëtoi rreth 60 kilometra, pritja ishte e gjatë dhe e mundimshme.

“Në orën 6:30 na kanë thënë të jemi këtu, për t’i marrë numrat. Me vite është ky sistem i punës kështu. Vjen pacienti pret, qe, siç e shihni edhe vetë. Kjo nuk është në rregull se është një pritje shumë e gjatë e panevojshme”, thotë Hajdari.

“Nëse arrin ta marrësh numrin herët, kryen punë i pari, nëse vjen me vonesë siç vijnë disa, mbetesh nga ora 6:00 deri në orën 12:00 të ditës”, thotë ai.

Pacientët duhet të jenë para orës 07:00 në ambulancën e QKUK-së.

Ata duhet ta zënë radhën, në të kundërtën mund të mbesin pa kryer kontrolle pasi që mjekët kanë një numër të caktuar të pacientëve që kontrollojnë brenda ndërrimit.

Pas orës 07:30, pjesëtarët e sigurimit i lejojnë pacientët të afrohen pranë sportelit për t’u regjistruar dhe për të marrë një numër – por sërish presin.

Radha e pacientëve para sportelit, ndërsa një pjesëtar i sigurimit qëndron afër tyre.
Radha e pacientëve para sportelit, ndërsa një pjesëtar i sigurimit qëndron afër tyre.

Pacientët janë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Me numrin e lartë të pacientëve që referohen këtu, mjekët e kanë të caktuar kohëzgjatjen e një vizite – ajo mund të jetë nga 10 deri në 20 minuta.

Por, jo gjithmonë vijnë edhe mjekët.

“Jam zgjuar në orën 05:00, jam përgatitur. Deri në Malishevë kam ardhur… në Malishevë, në 6:10, e kam pasur autobusin dhe kam ardhur këtu, në orën 07:00, në Prishtinë. Kam pritur në radhë, e kam marrë numrin… numrin 6 e kam. Tash pres derisa të vijë mjeku. Besoj që një orë e gjysmë duhet të pres, dy, derisa të vijë mjeku”, tregon Idriz Sertolli, i cili kishte udhëtuar nga Malisheva, mbi 40 kilometra larg Prishtinës.

Lexo edhe:  Dy kadetë nga Kosova diplomojnë në shkollën më të mirë ushtarake në botë