Ish-kandidati për president pritet ta zëvendësojë Vasfije Krasniqin në Kuvend

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi, ka bërë të ditur se për shkak të një trajtimi mjekësor, ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetes.

Përmes një postimi në Facebook, ajo tha se angazhimin publik për Kosovën do ta vazhdojë në ShBA.

“Sidoqoftë ashtu si edhe deri më sot, unë do të vazhdoj angazhimin publik për Kosovën në ShBA, sidomos në Kongresin Amerikan. Si rezultat i këtij angazhimi besoj që së shpejt do të shihen të arriturat e para. Kam besimin e plotë që së bashku me miq, njerëz të vullnetit të mirë, punëtorë e vizionarë, kauza e fitores së drejtësisë në Kosovë do të triumfojë”, shkroi ajo.

Sipas listës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Krasniqin do ta zëvendësojë deputeti Nasuf Bejta.

Nasuf Bejta ishte kundër kandidat i Vjosa Osmanit në garën për president të Kosovës.

Lexo edhe:  29-vjeçari në Pejë kapet në flagrancë me drogë dhe thikë, arrestohet nga Policia