I riu kosovar priti 24 vjet për të shkuar në Evropë

Endrit Hysenit i është dashur të presë po aq vite sa i ka jetë për ta parë botën. Udhëtimin e tij të parë ka planifikuar ta bëjë në Gjermani.

Ka më shumë se një javë prej kur kosovarët mund t’ia bëjnë me gisht hartës për të vizituar shtete të Bashkimit Evropian për të udhëtuar drejt atyre rrugëve që shumicën e rasteve i kemi parë vetëm nga ekranet.

Më të gëzuarit prej të gjithë banorëve të Kosovës, pa dyshim janë ata që nuk kanë shkuar kurrë më larg se kufijtë që u është lejuar me dokumentin idenfitikues, letërnjoftimin.

Për më shumë se dy dekada Endrit Hyseni e kishte pritur këtë ditë.

Një 24-vjeçari i është dashur të presë po aq vite sa i ka jetë për ta parë botën. Endriti banon në Vitomiricë të Pejës dhe ka kryer gjimnazin në shkollën “Bedri Pejani”, po ashtu në Pejë.

Udhëtimin e tij të parë si shumë qytetarë të Kosovës ka planifikuar ta bëjë aty ku jetojnë shumë shqiptarë, pra në Gjermani.

“Tash pas liberalizimit të vizave kam vendosur të shkoj në Gjermani, te disa familjarë. Biletën e kam nxjerrë për muajin shkurt dhe do të udhëtoj në qytetin e Hamburgut”, tha Hyseni.

Arsyeja përse ai do të udhëtojë është për t’i takuar të afërmit e tij. Por, Endriti ka frikë nga fluturimi me aeroplan.

“Atje do të rri një javë edhe përpos vizitave familjare nuk kam planifikuar asgjë tjetër. Po besoj që ka me qenë një ekperiencë interesante meqë udhëtimin do ta bëj me aeroplan. Edhe udhëtimi me këtë mjet të transportit do të jetë hera e parë që do ta provoj, kam frikë, por besoj që do të jetë eksperiencë interesante”.

Lexo edhe:  60 pjesëtarë e lanë Policinë këtë vit, Zeqiri: Dorëheqjet do të vazhdojnë, pas pensionimit marrin vetëm 100 euro

Shumë qytetarë, ky moment (liberalizimi) do t’i takojë edhe me kulturën e jetesën jashtë kufijve të Kosovës. E njëjta do të jetë edhe për Endrit Hysenin.

“Për mua si një i ri është shumë e rëndësishme me dalë edhe me pa se qysh funksionon Evropa dhe si zhvillohet jeta dhe shoqëria atje. Meqë nuk kam pasur mundësi të udhëtoj më heret në asnjë shtet evropian, jam shumë entuziast për këte”.

Edhe pse vizitat janë të lejuara maksimumi për tre muaj, të rinjtë e vendit tonë do të shqyrtojnë të gjitha mundesitë që i kanë në duar për të siguruar së paku një jetesë mes Kosovës dhe vendeve evropiane. Kushtet e vështira në vendin tonë kanë shtuar për vite lakminë e qytetarëve këtu që të marshojnë drejt perendimit.

“Edhe unë si çdo i ri kam pretendime me u zhvendosë në Evropë për shkak të kushteve dhe mundësive më të mira të jetesës. Këtë udhëtim do ta bëj për ta parë nëse është e mundshme që të adaptohem në një shoqëri si ajo e Gjermanisë. Nëse përshtatem, atëherë do ta shoh mundësinë që të zhvendosem përgjithmonë atje”.

Hyseni shpjegon shkakun se pse nuk ka provuar më parë të dalë jashtë Kosovës.

“S’kam tentuar asnjëherë të marr vizë. Kam pasur familjarë, miq e shokë që kanë tentuar me nxjerrë viza edhe kjo ka qenë ndoshta arsyeja pse nuk kam tentuar, për shkak të pritjeve të gjata edhe procedurave të stërgjata burokratike”.

Hyseni shpreson që liberalizimi i vizave do t`ua hapë mendjen kosovarëve për të mirë.

Kujtojmë që së fundmi u bë publik nëpër media lajmi se Spanja, edhe pse nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, do t’i njohë pasaportat e saj dhe qytetaret do të mund të lëvizin lirshëm edhe atje.

Lexo edhe:  Bajqinovci pas protestës në Jarinjë: Serbia dëshiron trazira