I dyshuari për rrahjen në Shell futet sërish në sherr, sulmon me thikë disa persona në parkingun e një marketi në Pejë

Gazeta Sinjali raportoi javën e kaluar për një incident që ndodhi në pikën e pompës së derivateve ‘Shell’ në fshatin Pavlan të Pejës, ku u përfshinë në përleshje një punonjës i kompanisë dhe një klient.

Klienti i dyshuar, Agron Qaki, i cili përfundoi në mbajtje për atë rast shkaktoi telashe në qendrën e ndalimit, por edhe pasi mbaroi kjo masë sigurie ai sërish u fut në sherr.

Këtë herë rasti ka ndodhur së fundmi në një parking të një qendre tregtare në Pejë, ku 30-vjeçari dyshohet se ka sulmuar disa persona me një thikë, duke iu shkaktuar shqetësim të madh në pikë të ditës.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti është denoncuar menjëherë në Polici dhe posa njësitet përkatëse kanë intervenuar, i riu ka tentuar të ikë nga vendi i ngjarjes. Por pavarësisht tentativave, i dyshuari është kapur nga zyrtarët policorë.

Mjeti i mprehtë është konfiskuar nga zyrtarët policorë, kurse i dyshuari është shoqëruar në stacion policor. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprat penale ‘Kanosje” dhe “Sulmi”.

Çka dihet për rastet e tjera?

I dyshuari u përfshi në përleshje me një punëtor të pompës së derivateve ‘Shell’ në fshatin Pavlan të Pejës, më 28 mars, si pasojë e pakënaqësisë së klientit ndaj shërbimeve të punëtorit. Ky i fundit si kundërpërgjigje ka shpërthyer në sulm fizik ndaj klientit, duke e goditur me grushte dhe duke i shkaktuar atij lëndime trupore. Mirëpo me sulm fizik iu kundërpërgjigj edhe klienti, i cili po ashtu i shkaktoi lëndime me anë të goditjeve punëtorit.

Incidenti në qendrën e ndalimit

Klienti i dyshuar, Qaki ndaj të cilit Prokurori i Shtetit atë ditë urdhëroi që të dërgohet në mbajtje, kishte shkaktuar telashe edhe në qendrën e ndalimit.

Lexo edhe:  Arsimtari që abuzoi me nxënësen e mitur kërcënoi edhe personin që e filmoi, kërkohet paraburgim

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se 30-vjeçari po dyshohet se nga mllefi ka dëmtuar kamerën e sigurisë që ndodhej brenda hapësirës ku ai ishte dërguar që të qëndrojnë gjatë periudhës 48 orëshe.

Këto veprime i kushtuar të dyshuarit pasi Policia u mor sërish me të. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që ndaj tij të iniciohet rasti edhe për veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.