I arrestuari për shantazh ndaj Fadil Nures në Skenderaj del para Gjykatës, dërgohet në burg

Hetimi me masa të fshehta që ka nisur rreth një muaj më parë lidhur me një rast të shantazhit që dyshohet se ka ndodhur në Skenderaj ka rezultuar me sigurimin e provave për përfshirjen e një 34-vjeçari në këtë rast.

I dyshuari Tafil Smajli i cili është pronar i disa faqeve që merren me lajme ka përfunduar në prangat e Policisë, gjatë ditës së mërkurë.

Ndaj tij, Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e cila është aprovuar nga Gjykata.

Pas seancës dëgjimore, i dyshuari Smajli është dërguar në praburgim në kohëzgjatje prej një muaji.

Smajli u arrestua nga policia rreth një muaj pasi u denoncua nën dyshimet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e ka kushtëzuar viktimën duke i kërkuar para në këmbim të mospublikimit të një materiali që ka poseduar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije bëhet fjalë për një video, që prish imazhin dhe integritetin e viktimës, për të cilën Smajli dyshohet se kishte kërkuar hiç më pak se 10 mijë euro që mos ta publikojë në faqet e tij “Prishtina Sot” dhe “Skenderaj Press”.

Pas raportimit të rastit, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, ku ndër të tjera janë aplikuar edhe masat e fshehta, që çuan në arrestimin e të dyshuarit.

Lexo edhe:  Avokati Berisha: Naim Murseli kishte edhe një plan tjetër për ta vrarë bashkëshortën