Haxhiu: Vetëm 3 persona kishin çelësat te mostrat e Deharit, përgjegjësi nuk është jashtë institutit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka zbuluar detaje të reja nga rasti i humbjes së mostrave të Astrit Deharit.

Haxhiu ka deklaruar se vetëm 3 persona i kanë çelësat në hapësirën ku ruhen mostrat, përfshirë ato të Astrit Deharit, gjë që tha se ia lehtëson punën Prokurorisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Kemi kuptuar që vetëm 3 persona i kanë çelësat në vendin ku ruhen mostrat. Pra, ka një protokoll se si ruhen mostrat, prandaj me një vullnet nga ana e prokurorisë mund të gjenden personat përgjegjësi”, ka deklaruar ministrja në T7.

Tutje, ajo ka thënë se nuk ka mundësi që këtë veprim ta ketë kryer dikush jashtë institutit.

“Meqë janë vetëm tre persona që i kanë pasur çelësat, atëherë shumë lehtë verifikohet kush është përgjegjës. Nuk ka gjasa që këtë gjë të bëjë dikush jashtë institutit. Po ashtu, mendoj që personi që e ka bërë këtë vepër, nuk ka qenë i vetëm, por po ka qenë i organizuar”, ka shtuar ajo.

Ministrja Haxhiu ka rrëfyer edhe për momentin kur mori vesh se janë zhdukur mostrat e Deharit.

“Më 7 dhjetor 2022, unë jam njoftuar nga drejtoresha e Laboratorit të Toksikologjisë, që janë zhdukur mostrat e Deharit. Në pyetjen time se si ka ndodhur kjo, ajo theksonte që mostrat janë zhdukur kur janë ndërruar frigoriferët e vjetër me frigoriferët e rinj. Kur e kanë verifikuar sipas kodeve, e kanë kuptuar që janë mostrat e Astrit Deharit”, ka deklaruar ajo.

Sipas Haxhiut, në mesin e mostrave janë zhdukur 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një epruvetë e lukthit

Lexo edhe:  RTK përjashton nga puna Ridvan Berishën