I riu në Bosnje trondit me kërcënimin: Betohem në jetën time do ketë masakër të paparë në shkollën ekonomike në Bihaq

I riu Ajdin Zuliq nga qyteti Bihaq i Bosnje dhe Hercegovinës, ka terrorizuar qytetarët atje me kërcënimet se do të bëjë një krim të përgjakshëm në shkollën ekonomike, transmeton në shqip Gazeta Sinjali.

Zuliq ka bërë një postim kërcënues në rrjetin social Instagram, ku ka thënë se ka kohë që një krim të ngjashëm si ai që ndodhi dje në Beograd të Serbisë, e ka përgatitur për shkollën ekonomike të qytetit, teksa betohet se do ketë një masakër të paparë.

“Ai djali që vrau tetë fëmijë është mbret për mua! Një gjë të tillë e kam përgatitur për një kohë të gjatë për shkollën ekonomike në Bihaq. Do të ketë një masakër të paparë në Bihaq, ju betohem me jetën time! Kur të gjithë më gjykonit dhe më shmangnit, për këtë do të ketë terror”, ka shkruar i riu nga Bosnja, raporton Avaza.


Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bahrudin Dzekalagiq, ka thënë se i dyshuari ka bërë një postim kërcënues në rrjetin social Instagram dhe më pas autoritetet kanë intervenuar, duke informuar edhe Prokurorinë.

“Kemi informacione. Është informuar edhe Prokuroria. Ky është një person i njohur për ne në Polici. Nuk e dimë se çfarë viti është. Mendoj se është i mitur. Nuk e dimë nëse dikush e ka raportuar. E kemi parë në rrjete sociale dhe më pas vendosëm ta kontrollojmë sipas detyrës zyrtare”, ka thënë Dzelalagiq.

Kujtojmë që dita e djeshme shënoi një ngjarje tragjike në Serbi, pasi 14-vjeçari Kosta Keçmanoviq, dyshohet se kreu një krim makabër me armë zjarri, duke lënë të vdekur nëntë persona dhe duke plagosur rëndë shtatë të tjerë të mërkurën në shkollën fillore ‘Vladislav Ribnikar’ në Vraçar të Beogradit.

Lexo edhe:  Aksident mes tre veturave në rrugën Prishtinë -Podujevë, lëndohen pesë persona

I mituri kishte një muaj që kishte hartuar në detaje të gjithë planin për vrasjen e shumfishtë, duke bërë edhe një listë me emrat e nxënësve të cilët ishin cak i vrasjes.