Hajnat ia vjedhin veturën në parking, i riu në Rahovec kërkon ndihmën e Policisë

Përpos shtëpive private, banesave, bizneseve e institucioneve të ndryshme të cilat janë cak i vazhdueshëm i hajnave, ata syrin e kanë edhe te veturat e qytetarëve. Edhe në raste kur nuk e marrin veturat në tërësi, i thyejnë ato me shpresë që do gjejnë dhe do marrin ndonjë gjë me vlerë.

Kështu ka ndodhur dje në fshatin Xerxe të Rahovecit, ku persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur një veturë e cila ishte e parkuar në parkingun e “Hotel Kosova”.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se pronari i veturës ka denoncuar rastin në Polici dhe të njëjtit më pas kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë janë parë dy persona të cilët kanë marrë veturën dhe janë larguar në drejtim të Prizrenit, por që nuk është arritur që të njëjtit të identifikohen.

Bazuar në dëshminë  e 24-vjeçarit, vetura e tij ka qenë e padoganuar dhe të gjitha dokumentet ishin brenda saj.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Piloti i parë i FSK-së, Afrim Zabeli, bashkë me Rifat dhe Lulzim Jasharin