Të dyshuarit për shitblerje të drogës që u kapën në flagrancë në Han të Elezit janë 21 e 22 vjeç

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar në Han të Elezit, ku Policia ka kapur dy persona, që dyshohen për shitblerje dhe shpërndarje të substancave narkotike.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 21-vjeçar dhe një 22-vjeçar, të cilët u kapën në flagrancë teksa po lëviznin me një veturë.

Pas kontrollit nga zyrtarët policorë, janë gjetur dhe konfiskuar rreth 10 doza me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Për pasojë, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa droga është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tyre të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Hajnat hyjnë në një shtëpi në Podujevë, vjedhin stoli ari e para të gatshme