Hajnat ia mësyjnë lagjeve luksoze: Një familje në ‘Marigonë’ e pëson keq, ‘avullohen’ rreth 700 euro

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Shpeshherë cak i hajnave janë shtëpitë nëpër fshatra e qytete, por së fundmi ata ia kanë mësyrë edhe lagjeve luksoze. Sinjali mëson se bëhet fjalë për lagjen Marigona, ku të dielën ndodhi një rast i tillë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se hajnat kanë arritur të depërtojnë me forcë në një shtëpi, prej ku kanë vjedhur rreth 700 euro dhe të largohen pa lënë shumë gjurmë. Gjithçka dyshohet se ndodhi brenda pak minutave, në orët e mëngjesit.

Rasti është denoncuar në Polici nga pronari i shtëpisë, që ka dhënë detaje se si hajnat e shfrytëzuan derën e pasme të shtëpisë për të hyrë, derisa familja ishte në gjumë, periudhë kjo që u shfrytëzua nga të dyshuarit.

Me t’u denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërkohë që janë ndërmarrë veprimet hetimore për të identifikuar të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen personat që dyshohen se kryen veprën.

Lexo edhe:  Burri në Mitrovicë rrah bashkëshorten me grushte e shqelma, përfundon në ndalim policor