Plagoset me armë një person në Vllahi të Mitrovicës, nuk dihet prej kah erdhi plumbi

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet për një rast të tentim vrasjes, pas denoncimit të një 51-vjeçari, i cili u plagos në fshatin Vllahi, të dielën. Viktima është dërguar në QKUK për trajtim, ndërsa ende nuk dihet se kush është i dyshuari.

Siç mëson Sinjali, rasti ka ndodhur në orët e mëngjesit, derisa viktima po qëndronte në fshat, kur papritmas u qëllua nga një plumb i armës së gjuetisë, që i shkaktoi plagë në krah, për çka u dërgua fillimisht në spitalin e Mitrovicës, e më pas në QKUK.

Posa Policia është vënë në dijeni për ngjarjen, një njësi policore ka marrë deklaratën e viktimës, i cili ka përshkruar disa detaje të momentit kritik, teksa në vendin e ngjarjes janë bërë ekzaminimet e nevojshme.

Derisa 51-vjeçari po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike, me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë”.

Lexo edhe:  Mbi 500 qytetarë serbë të veriut pajisen me pasaportë të Kosovës