Hajnat bëjnë qyl shtëpinë e mërgimtarit Nazmi Viqa në Ferizaj, vjedhin 40 mijë euro cash dhe ari në vlerë të 25 mijë €

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.

Rastet më të shpeshta ndodhin në shtëpitë e mërgimtarëve, që janë cak i hajnave pothuajse çdo ditë. Kështu ka ndodhur edhe të shtunën në shtëpinë e familjes Viqa në Ferizaj, ku hajnat kanë vjedhur para e gjësende në vlerë të një shume të majme parash, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se vjedhja ka ndodhur në shtëpinë e mërgimtarit Nazmi Viqa dhe rasti është denoncuar nga personi që kujdeset për shtëpinë, i cili ka raportuar se hajnat kanë vjedhur hiç më pak se 40 mijë euro cash, dhe stoli ari në vlerë të 25 mijë eurosh.

Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve, hajnat kanë “avulluar” edhe dy armë zjarri, që ndodheshin në shtëpi.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Behgjet Pacolli: Dy shtete të mëdha do ta njohin Kosovën