Gjykimi për fajde: Skender Blakqori, fajdet më shuajtën pasurinë milionëshe

Skender Blakqori gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues, për rastin për krim të organizuar, fajde dhe vepra tjera ku po akuzohen Dalip Brahimi, kryetar i grupit të tifozëve “Dardanët”, Ismet Salihu, Bujar Gërbeshi, Rrahim Brahimi dhe Lulzim Berisha, ka treguar se për shkak të fajdeve e ka humbur të gjithë pasurinë dhe arsyet që e shtyen deri tek fajdet.

Blakqori tha se nga 2005 deri më 2010 kanë luajtur bixhoz bashkë me Dalip Brahimin, të cilin sot thotë se ia ka marrë të gjithë pasurinë si pasojë e fajdeve.

“Në vitin 2005 jam njoftu me Dalipin në kafe. Kemi lujt bixhoz me të. Me Dalipin nga vitit 2005 deri në vitin 2010 kemi lujt bixhoz”, filloi dëshminë Blakqori para trupit gjykues.

I pyetur nga gjykatësi, Kujtim Krasniqi nëse lojërat e bixhozit kanë ndikuar në rënien e bizneseve të Blakqorit, dëshmitari e mohoi. Ai tha se vetëm kohë ka humbur, duke luajtur bixhoz.

Dëshmitari tutje tregon se me fajde ka filluar të merret fillimisht për t’ia kthyer borxhin një shoku të tij me të cilin ka qenë edhe bashkë-aksionar në bankën BpB.

“Nuk e kam ditë se me çka merret Dalipi. Së pari ia kam kërkuar 100 mijë euro Dalipit për me ia kthy një borxh një shoku aksionar në bankë. Marrëveshja ka qenë me ja kthy 10 përqind në muaj dhe unë nuk arrita me ja kthy për një vit dhe u bënë 200 mijë euro. Dhe kështu kam vazhdu derisa më ra biznesi krejt e që kanë kapë shifrën mbi 1 milion euro”, tha ai.

Gjyqtari Krasniqi kërkoi sqarim nga dëshmitari pse nuk i ka dhënë aksione bashkë-aksionarit të tij për të mbuluar borxhin, por dëshmitari tha se nuk ka dashtë të kuptojë ai se ka probleme financiare me biznesin e tij.

Lexo edhe:  Aksident në magjistralen Skënderaj-Drenas

“Arsyeja pse nuk i kam dhënë bashkë-aksionarit aksione është që mos me vërejtë ai që kam rënë në biznes”, arsyeton dëshmitari.

Blakqori thotë së vazhdimisht ka marrë fajde nga Dalipi dhe Bujar Gërbeshi.

“Unë vazhdimisht kam marrë tek ky (fajde), tek Dalipi dhe Bujari. Tek Bujari më pak nuk kam marrë shuma të mëdha diku 15 mijë euro por vlera e fajdes ka qenë 15 përqind. Dhe kjo ka zgjatë 15 vite derisa m’i morën të gjitha edhe shtëpinë. Dalipi ma ka marrë shtëpinë”, theksoi ai.

Për shkak të fajdeve, Blakqori tha se ka humbur të gjitha pasurinë, ndërsa rrëfen se obligimet e mëdha financiare ndaj bankës e kanë detyruar të fillojë të merret me fajde në mënyrë që, sipas tij, të mos vërehet në opinion se ka probleme financiare me bizneset e tij.

“Fajdet i kam marrë nga Dalipi në vitin 2007. Unë kam hyrë në obligime të mëdha me bankat dhe nuk kam dashtë të vërehem se po dështoj me biznes dhe kam kërku para (fajde) nga Dalipi. Në kohën kur kam kërku para (fajde) nga Dalipi kam pas edhe pasuri të tjera. Kam pas tokë në Shtime 118 hektarë, në Hajvali tre hektarë, tek liqeni i Gërmisë 42 ari. Në Pejton një lokal 72 metra, një banesë përballë komunës së Prishtinës. Një banesë 63 metra që ma ka marrë Dalipi, edhe lokalin edhe banesën, ndërsa një banesë në Breg të Diellit që ma ka marrë Bujar Gërbeshi gjithashtu për fajde”, tha Blakqori para trupit gjykuese.

Reklama

“Arsyeja pse e kam zgjatë këtë proces pesë vite ka qenë “marimanga” që ta pinë gjakun dalëngadalë dhe nuk të lëshon të fut në rrjetë”, tha dëshmitari Blakqori.

Lexo edhe:  “Plagët e lirisë për mua janë të çmueshme, edhe pse ende ndjej dhimbje”, luftëtari i UÇK-së rrëfen për momentin e plagosjes

Dëshmitari Blakqori tha se qëndron mbrapa çdo deklatrate që e ka dhënë në Polici, në Prokurori dhe në Gjykatë.

Në maj të këtij vitit ishte anuluar seanca për këtë rast pasi që Instituti i Psikiatrisë Forenzike nuk pati arritur ta përgatisë raportin lidhur me dëshmitarin Skender Blakqori nëse ai është në gjendje të dëshmoi apo jo, raporton betimiperdrejtesi.