Gjykata merr vendim ndaj të dyshuarit për grabitjen në barnatoren ‘Melisa’ në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit për grabitjen në barnatoren ‘Melisa’ në lagjen Ulpiana në Prishtinë.

Përmes një komunikate për media, Gjykata njofton se gjyqtarja e procedurës paraprake ka marrë vendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e paraburgimit për një muaj.

I pandehuri A.SH me datë 21.02.2024 rreth orës 09:45, në barnatoren Melisa në Ulpianë – Prishtinë, kishte hyrë i maskuar me kapelë në kokë dhe shallë në fyt, i cili nën kërcënimin e armës/thikës i është ofruar të dëmtuarës A.A dhe nga e njëjta ka kërkuar metadon, duke i vendosur thikën në stomak, për çka e dëmtuara nga frika e ka njoftuar për vendin se ku ka qenë i vendosur metadoni, i pandehuri nga barnatorja kishte arritur që të marrë metadon në sasi prej njëzet e pesë copë si dhe disa shiringa në vlerë totale prej rreth shtatëqind e pesëdhjetë euro dhe i njëjti ishte larguar në drejtim të panjohur. I njëjti edhe me datë 04.03.2024, rreth orës 10:25 në po të njëjtën barnatore, në bashkëkryerje së bashku edhe me një person N.N, tani për tani të panjohur, ka hyrë në barnatore dhe përsëri nën kërcënimin e thikës ka depërtuar në depon ku mbahet metadoni ku pas kësaj e dëmtuara ka aktivizuar panik alarmin dhe është larguar nga barnatorja duke e lënë të pandehurin në barnatore, ku i pandehuri ka marrë një sasi prej rreth 600 eurove (gjashtëqind) euro si dhe ka hapur një metadon të cilin e ka pirë, mirëpo i pandehuri nuk ka arrit të dal nga lokali, pasi që barnatorja është mbyllur me rrjetën e jashtme të hekurit, ku me këtë rast i pandehuri ka mbetur brenda barnatores, derisa ka arritur njësia policore e cila edhe e ka bërë arrestimin e tij”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Lexo edhe:  Familjarët i kërkojnë trupat e të vrarëve në Banjskë, akoma s'ka urdhër për lëshimin e tyre