Gjilanasi sillet me kallashnikov në veturë, policia e ndek dhe arrin ta kapë

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Ata shpesh kapen në flagrancë me armë të ftohta e mjete të tjera të rrezikshme.

Një rast i tillë është zbuluar në fshatin Gumnishtë të Gjilanit, ku Policia ka arritur ta kap një person që dyshohet se sillej me një kallashnikov në veturë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 65-vjeçar, te i cili Policia gjeti një AK-47, pasi iu vu në ndjekje, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Arma që e mbante pa leje u sekuestrua bashkë me fishekët, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  Gjuajtje me kallash në Mitrovicë