Bossi i “Shell Kosova” me trika për Policinë, shtrihet në spital për të mos e shijuar qelinë

Pronari i kompanisë “Shell Kosova”, Lulzim Kryeziu, i dyshuar për dhunë në familje, tashmë ka ka rënë në duart e Policisë. Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për ndalimin e tij, pas qëndrimit në arrati për 10 ditë. I denoncuar më 4 qershor nga bashkëshortja dhe djali, biznesmeni zgjodhi arratisjen para dorëzimit, si formë për t’i ikur drejtësisë.

Por lirinë nga arratia nuk e shijoi gjatë, pasi Policia arriti ta sigurojë prezencën e tij, të martën në mbrëmje. Duke qenë në dijeni se do të kapet posa të haset, Kryeziu sërish gjeti një mundësi që të mos dërgohet në mbajtje.

Sinjali mëson se qëndrimi në arrati e ka mbushur me trika Kryeziun, me qëllim që t’i shmanget prangosjes, për mos e shijuar qelinë.

Burimet thonë se para se ai të bëhet i gjallë për Policinë, është kujdesur që të shtrihet në njërin nga spitalet privatë në Prishtinë (emër i njohur për redaksinë), në mënyrë që të shpëtojë nga ndalimi e paraburgimi.

Edhe këtë herë, trikat e tij kanë funksionuar dhe si rezultat, Prokuroria ka urdhëruar ndalimin në spital, edhe pse Kryeziu ishte në arrati për më shumë se një javë.

Brenda afatit ligjor, pritet të shihet nëse Prokuroria do të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Kryeziut, i cili është recidivist i veprës penale “Dhuna në familje”.

Për një gjë të tillë, siç ka ndodhur edhe më herët me rastin e Kryeziut, nuk  kanë dhënë detaje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Në përgjigjen e tyre për Sinjalin thuhet se rezervohen të deklarohen për çështjet familjare që janë të mbyllura për publikun.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se rezervohemi në dhënien e informatave lidhur me rastet të cilat trajtojnë çështje familjare dhe janë të mbyllura për publikun, për shkak të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit apo pjesëmarrësve tjerë në procedurë, dhe atë konform dispozitave të KPPRK-së.”

Lexo edhe:  Djali rrah brutalisht dhe kërcënon me vrasje nënën e tij në Gjilan