Gëlltiti drogën që po ia çonte burrit në burgun e Dubravës, kjo është gruaja që përfundoi në pranga

Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike. Por kjo dukuri nuk po i mban imun as personat që janë prapa grilave. Sikleti për të konsumuar drogë po i detyron ata që të kërkojnë nga të afërmit të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar sasi të ndryshme të narkotikëve.

Kështu dyshohet të ketë vepruar edhe një grua e cila shkoi dje në vizitë të burri i saj në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Adelina Pajazitin, e cila dyshohet se ka gëlltitur substancën narkotike që kishte me vete, për të mos u kapur nga gardianët e burgut.

Pas këtij veprimi, ajo është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë për shkak se kishte rrezik për helmim dhe e njëjta me udhëzim të mjekëve është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Edhe pas ekzaminimeve dhe intervenimeve të stafit mjekësor, nuk është arritur që të gjendet substanca narkotike.

22-vjeçarja është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin, teksa para hetuesve policorë ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarës t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe e njëjta do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Profesori i “TikTok-ut”, Luzim Paci, propozohet për drejtor të arsimit në Vushtrri