Festa në një restorant në Veri kthehet në dhunë, zyrtari policor sulmohet brutalisht nga disa persona

Një ndejë në restorantin Boem në fshatin Dren të Leposaviqit, që u organizua mbrëmë, e ku po merrte pjesë një zyrtar i Policisë së Kosovës u përcoll me incidente. Pjesëtari i Policisë, (emër i njohur për redaksinë) derisa ishte jashtë detyrës zyrtare u sulmua brutalisht nga disa persona, për motive ende të panjohura.

Kështu ka bërë të ditur sinjalizuesi i Sinjalit për Veri, i cili ka njoftuar se sipas informacioneve të para rreth 7 persona dyshohet se e kanë sulmuar policin, tre prej të cilëve janë emra të njohur për viktimën, teksa të dyshuarit e tjerë ende s’janë identifikuar.

Sulmi dyshohet se ndodhi pak para mesnatës, kur të dyshuarit ia kanë zënë pritën zyrtarit policor në momentin që ka hyrë në tualet, ku e kanë sulmuar, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Sipas sinjalizuesit, për rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të së cilit kanë nisur hetimet për veprën penale “Sulm”.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe Besim Hoti nga Policia Rajonale në Veri, i cili ka njoftuar se palët e përfshira në rast kanë qenë në gjendje të dehur dhe së shpejti pritet të ndërmerren veprimet e tjera, për dëgjimin e dëshmitarëve dhe palëve të përfshira.

Lexo edhe:  Xhihadi Islamik thotë se po mban 30 pengje në Gaza