E zbuloi se po e tradhtonte me tjetër, gjakovari e bën gruan për spital, ndërsa vet përfundon në polici

Tragjeditë familjare, tradhtitë brenda lidhjes, abuzimi me alkoolin e bixhozin dhe xhelozia, shpesh herë bëhen shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë kosovare nga partnerët e tyre. Për një rast të tillë, ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur mbrëmë, ku dyshohet se pasi 36-vjeçarja e kuptoi se bashkëshorti i saj po e tradhton, ky i fundit e sulmoi fizikisht, duke i shkaktuar asaj lëndime trupore.

Viktima për shkak të lëndimeve kërkoi ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e denoncoi edhe në Policinë e Kosovës. Njësitet policore kanë intervenuar menjëherë, me ç’rast kanë arritur ta arrestojnë 35-vjeçarin e dyshuar.

Po ashtu është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit, ku është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Gruaja ka refuzuar të kthehet në shtëpinë ku jetonte me burrin dhe ka vendosur që të shkojë dhe të jetojë me prindërit e saj.

Lexo edhe:  Bie numri i lindjeve në Kosovë, rreth tre mijë fëmijë më pak se në vitin 2021