E sulmoi me armë zjarri një të mitur në Prishtinë, ky është 23-vjeçari që përfundoi në prangat e Policisë

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë.

Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, ku përdoren edhe armët e mjetet e mprehta. Një rast i tillë ka ndodhur para dy ditësh, në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Një 23-vjeçar po dyshohet se ka sulmuar me armë zjarri një të mitur më 28 shkurt, duke i shkaktuar lëndime trupore. Ditën kritike, i dyshuari ka ikur, por gjatë ditës së djeshme ka rënë në prangat e Policisë.

Sinjali mëson ekskluzivisht se personi që u arrestua lidhur me këtë rast është Arian Krasniqi, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Krasniqi u kap pasi Policia zhvilloi bastisje në shtëpinë e tij, me ç’rast është sekuestruar edhe një armë që dyshohet se e kishte përdorur në rast.

I njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, brenda afatit ligjor.

Lexo edhe:  Ndodhë edhe një mrekulli: Pas 8 dite nxirren të gjallë nga rrënojat e tërmetit dy vëllezër në Turqi