Arrestohet polici që ishte dënuar me 4 vjet burgim për tentim vrasje, dërgohet në burg

Zyrtari policor i dënuar me burgim për vrasje në tentativë dhe që kishte vazhduar punën përkundër dënimit, Adem Cani, tashmë është dërguar në burg. Policia ka zbarkuar sot në shtëpinë e tij, ku Cani u arrestua dhe u dërgua në vuajtje të dënimit, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se një njësi policore, mëngjesin e sotëm, e ka arrestuar Adem Canin, në shtëpinë e tij në fshatin Baicë të Lipjanit, në bazë të një urdhërese aktive të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Arrestimin e Canit e ka konfirmuar për Sinjalin edhe djali i tij, i cili nuk dha detaje të tjera.

“Nuk pe dimë hala, me dhanë një deklaratë. Informacione tjera s’kemi.” – tha ai shkurt.

Cani ishte shpallur fajtor për veprën penale “Vrasje në tentativë” me burgim në kohëzgjatje prej më shumë se 4 vitesh, por nuk e kishte vuajtur dënimin.

Në janar të vitit 2021, Gjykata e Apelit kishte vendosur që të mos aprovonte kërkesat dhe ankesat e avokatëve të të dënuarve ndërsa kishte vendosur që Adem Cani të dënohet me burgim efektiv prej 4 vite e 6 muaj burg, ndërsa të akuzuarin tjetër, Valon Kleçkën me 4 muaj.

Por si kishte ndodhur rasti?

Më 4 gusht, të vitit 2015, Adem Cani dyshohet se kishte shtënë me armën zyrtare 14 herë, duke lënë të plagosur tre persona në oborrin e një restoranti në Ferizaj.

Përkundër kësaj, Cani kishte vazhduar punën në njësinë e kontrollit dhe sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Në dosjen e Prokurorisë thuhej se polici në dëshminë e tij kishte treguar se nuk ka qenë në punë natën kritike, por në pushim mjekësor pasi kishte pasur probleme shëndetësore.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Gjendet pa shenja jete një grua në Mitrovicë, dyshohet se vdiq duke u pastruar

Ai kishte deklaruar se ishte rrethuar nga 20 persona ndërsa kishte vepruar në bazë të asaj që thotë ligji që të përdor forcën e arsyeshme, atë proporcionale dhe të domosdoshme.