E rëndë: Tre persona sulmojnë të riun për parking në Prizren, njëri nga ta ia kris kafkën me gur

Rrahjet mes personave të ndryshëm në Kosovë shpesh herë ndodhin për arsye banale. E ndër zënkat më të shpeshta janë ato për parkingje, ku shumë qytetarë hasin në telashe me njëri-tjetrin, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në rrugën e ‘Pushkatarëve’ në Prizren, ku tre persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një qytetar të Shqipërisë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal në Prizren kanë bërë me dije se 25-vjeçari është dërguar atje me lëndime të rënda në kokë, ku pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ai ka pësuar krisje në kafkë.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e të riut është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Bazuar në dëshminë e viktimës, ai është sulmuar nga tre persona të panjohur të cilët fillimisht e kanë sharë për shkak të parkingut dhe më pas njëri nga ta e ka goditur me gur në kokë.

I dyshuari është arritur që të identifikohet mirëpo i njëjti nuk është arrestuar ende për shkak se ndodhet në arrati.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Lexo edhe:  Plas sherri në Prizren: Pronarët e ‘Bledi Reisen’ sulmojnë fizikisht ata të kompanisë ‘Shehu 200’, sebep bartja e nxënësve