E rëndë: Prindërit në Prishtinë kërcënohen me vrasje nga djali, nuk i dhanë para për drogë

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare.

Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike. Raste të tilla të rënda shpesh zbulohen edhe brenda familjeve dhe janë prindërit ata që e pësojnë, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur së fundmi në rrugën “Ibrahim Kelmendi” në Prishtinë, ku dy prindër janë përballur me dhunë nga djali i tyre 20-vjeçar,

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ky rast mjaft i rëndë ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ku plasi sherri të mërkurën në mbrëmje, pasi babai nuk i dha djalit paratë që i kërkoi.

Të hollat që i riu dyshohet se i kërkoi për të blerë substanca narkotike shkaktuan tensione në shtëpinë e tyre dhe situata eskaloi në kanosje. I dyshuari i kërcënoi me vrasje prindërit e tij dhe më pas dëmtoi edhe veturën e tyre.

Përballë kësaj situate, babai i tij u detyrua që ta raportojë rastin në Polici, ku rrëfeu gjithçka që kishte ndodhur në familjen e tyre.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuar është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj tyre të caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Genc Prelvukaj viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Burgu dukej shumë i vogël përballë historisë së Thaçit e madhështisë së Veselit