E rëndë: 39-vjeçari i dehur në Mitrovicë tenton ta vrasë veten me armë zjarri, e shpëton vëllai i tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Faruk Spahija’ në Mitrovicë, ku një person ka tentuar të kryejë vetëvrasje.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një 39-vjeçar, i cili kishte marrë një armë zjarri dhe e kishte drejtuar në kokën e tij, me qëllim që t’i japë fund jetës.

Por më të keqën e kishte parandaluar vëllai i tij, i cili kishte arritur që t’ia largojë armën nga koka dhe kishte thirrur për ndihmë në Policinë e Kosovës.

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku kanë hasur në personin e dyshuar i cili po mbahej nën kontroll nga vëllai i tij dhe po ashtu kanë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja që dyshohet se janë të armës që u përdor.

39-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku i është nënshtruar edhe testit për alkool, me ç’rast ka rezultuar në gjendje të dehur.

Me vendim të prokurorit, 39-vjeçari është dërguar në mbajtje për 48 orë, teksa është iniciuar rasti për veprat ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’, ‘Mbajtje në pronësi, posedim apo kontroll të paautorizuar të armës’ dhe ‘Vetëvrasje në tentativë’.

Lexo edhe:  Dje u zgjodh Nënkryetar i Gjykatës, sot e liroi Pantiqin - Publikohet Aktvendimi i cili e habiti Kurtin