Detaje nga sulmi brutal ndaj imamit të xhamisë në Lupç/ 61-vjeçari u gjet pa vetëdije, njëri nga të dyshuarit u paraqit si dëshmitar i rasti

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në fshatin Lupç i Poshtëm në komunën e Podujevës, ku imami i xhamisë së këtij fshati, Zeqir Berisha, u gjet në gjendje të rëndë dhe i përgjakur te objekti fetar, raporton Gazeta Sinjali.

Berisha dyshohet se u rrah brutalisht nga tre vëllezërit Atdhe, Behar dhe Shkodran Murturi, ndaj të cilëve është iniciuar rasti për veprën penale ‘Vrasje në tentativë’.

Sinjali mëson se vëllezërit Murturi dyshohet se kanë sulmuar fizikisht imamin Berisha me mjete të forta, duke i shkaktuar atij lëndime të rënda trupore deri në alivanosje.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se njësitet policore me të marrë informacionin se imami i xhamisë është sulmuar, kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë hasur në të dyshuarin, Atdhe Murturi, i cili fillimisht është prezantuar si dëshmitar i rastit.

Atdheu kishte thënë se e ka gjetur Berishën të gjakosur dhe të shtrirë në tokë.

Njësitet policore kanë bërë thirrje për ndihmë në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, prej ku më pas u transferua me autoambulancë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

Sinjali mëson se gjendja e tij shëndetësore ishte e rëndë dhe Berisha ishte pa vetëdije edhe gjatë kohës që po transportohej për në spital.

Por gjendja e tij u stabilizua më vonë, aq sa për të deklaruar para hetuesve se personat që e sulmuan janë tre vëllezërit Murturi.

Burimet e Sinjalit brenda QKUK-së kanë bërë të ditur se Berisha ka pësuar tri fraktura në kokë dhe një frakturë në dorë, ku si pasojë i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në orët e para të mëngjesit.

Lexo edhe:  Vdes mjeku i njohur nga Gjakova

Ndërkohë, njësitet policore kanë arrestuar menjëherë tre personat e dyshuar, të cilët i kanë shoqëruar në stacion për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që tre vëllezërit Murturi të dërgohen në mbajtje për 48 orë.

Për rastin ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës të cilët kanë bërë thirrje te xhemati që të distancohen nga autorët e sulmit.

Ata kërkojnë nga organet e drejtësisë që të japin vendimet e duhura për autorët e sulmit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.