E dinte se do të dërgohej në burg, ish-polici Ekrem Bajroviq shkon me kufer me rroba në gjykatë, as atë nuk ja lanë! (VIDEO)
Vendimin që do të qëndrojë një muaj në burg duket se e priste.
Andaj, ish-polici Ekrem Bajroviq që u arrestua, të mërkurën, me dyshimin për vrasjen e 18 civilëve shqiptarë në Saradran të Istogut i kërkoi avokatit që një valixhe me rroba t’ia sillte në gjykatë.
Por, pamundësia e kontrollimin të çantës deri në detaje e çoi prapa grilave edhe pa të.
“Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilën dyshohet se është kryer vepra penale dhe me lënien në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, që do të pengonte rrjedhë e procedurës penale”, ka thënë Gjykata Themelore në Prishtinë.
Bajroviq, i cili prej vitesh jeton në Mal të Zi, u mundua që këtij vendimi të gjykatës t’i shpëtojë duke e shfrytëzuar gjendjen e tij shëndetësore.
Seanca për shqiptimin e masës së paraburgimit ndaj boshnjakut Ekrem Bajroviq u mbajt me dyer të mbyllura, megjithatë Klan Kosova arriti të sigurojë disa pamje brenda gjykatores ku shihet se ish-polici Bajroviq me vete ka marrë edhe një qese të madhe me barna për ta bindur gjyqtarin që është i sëmurë nga diabeti e mos ta dërgojë në burg.
Sipas Prokurorisë Speciale, me urdhër të së cilës Bajroviq u arrestua në shtëpinë e tij në Vitomiricë të Pejës, ish-polici dyshohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”. Kjo kur i njëjti bashkë me kolegë të tjerë kishte sulmuar konvojin e popullsisë civile të cilët ishin nisur nga Istogu në drejtim të Klinës. Qytetarët që po iknin një herë i plaçkitën e më pas i vranë.