Vetëm 15 serbë regjistruan makinat në targat RKS, MPB thotë se ky proces përmbyllet më 31 tetor

Vetëm 15 qytetarë serbë kanë bërë regjistrimin e makinave në targat RKS deri më tani. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme shprehet e vendosur që ky proces të përmbyllet më 31 tetor. Kjo nënkupton se pas kësaj date veturat të cilat posedojnë targat ilegale nuk do të kenë mundësi të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës si dhe në pikë kalimet kufitare.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës, për teve1.info.

Targave KM, GL, PR, PZ, DE, UR, etj, që janë denominime serbe për qytetet e Republikës së Kosovës, u ka skaduar afati i përdorimit qysh në shtator të vitit të kaluar, ndërsa afati për kthimin e tyre në RKS përfundon më 31 tetor.

“Ne në anën tjetër, para afatit të skadimit, po hapim afat të konvertimit me lehtësime financare. Përmes një afati prej dy muajsh, ne po ofrojmë një dritare të re të konvertimit të këtyre targave, që janë relikt e pushtetit të Millosheviqit, me lehtësime të theksuara financiare që arrijnë vlerën deri në 5 mijë euro. Konvertimi në targa “RKS” siguron lëvizje të lirë, të papenguar dhe pa paragjykime në të gjithë Republikën e Kosovë. Me të dhe me ftesën për të konvetuar target në RKS ne duam të vendosim ligjshmëri në vendin tonë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për teve1.info.

Më tej, sipas kësaj ministrie nga dita e parë e fillimit të regjistrimit të veturave ka pasur një interesim të madh të qytetarëve për kthim në targave në RKS dhe se i njëjti interesim ka qenë edhe në veri. Por, sipas MPB-së është zhvilluar një propagandë nga krerët e shtetit serb dhe ka pasur një presion të madh të strukturave ilegale në veri. Këto struktura, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, çfarëdo pajtueshmërie të qytetarëve për t’u legalizu në jetën e përditshme i përgjigjen me presione, kërcënime dhe sulme.

Lexo edhe:  Grabitje e armatosur në pompën ‘Alfa Trade’, hajnat e maskuar marrin mbi 1 mijë euro

“Propaganda e krereve të shtetit serb, përfshirë presidentit e Serbisë Vuçiq dhe veprimet e grupeve kriminale dhe strukturave ilegale janë të koordinuara dhe në shërbim të njëra tjetrës drejt qëllim të frikësimit të qytetarëve tanë atje. Fatkeqësisht, dy rastet në veri të vendit, ai në Leposaviq dhe në Zveçan janë shoqëruar me incidente. Vetura e parë që është regjistruar në veri, e një rreshteri policor të Kosovës i cili ka bërë kthimin e veturës në targa RKS, të njëjtit në orët e mbrëmjes i është sulmuar shtëpia dhe i është djegur një pjesë e saj. Poashtu, në Zveçan një qytetari serb iu dogj depo pasi ai kishte regjistruar veturën e djalit të tij”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Kjo ministri ka theksuar nevojën për më shumë presion ndërkombëtar ndaj Serbisë për të mos i ftuarserbët e Kosovës të veprojnë në ilegalitet.

MPB ka njoftuar se deri më tani 15 qytetarë i kanë konvertuar targat e automjeteve nga targat ilegale në të rregullta RKS:

Nga Regjioni 06 – kemi 6 automjete

Nga Regjioni 02- kemi 5 automjete

Nga Regjioni 04 – kemi 2 automjete dhe

Nga Regjioni 01 – kemi 2 automjete.

“Liria e lëvizjes, barazia por edhe sundimi i ligjit janë prioritet tona. Ndërkohë, ne do të vazhdojmë fushatën intensive anëmbanë Kosovës që deri më 31 tetor ky proces të përmbyllet”, përfundon përgjigja e MPB-së.